SHSHPFA gjeneralmajor Jeronim Bazo priti zëvendëskryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO, gjenerallejtënant Mark Schissler

29 janar 2015

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe NATO, nga datat 28 - 30 janar 2015, po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë zëvendëskryetari i Komitetit Ushtarak të NATO gjenerallejtënant, Mark Schissler.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo pasi vlerësoi mbështetjen e gjithanshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut për Forcat e Armatosura Shqiptare, rikonfirmoi vullnetin e lidershipit politiko - ushtarak për të qenë krahpërkrah vendeve aleate në operacionet e NATO. Ky vullnet shprehet më së miri me vazhdimin e kontributit me forca në misionin e ri “Resolute Support” në Afganistan, si dhe vijimin në misionin KFOR. 

“Shqipëria është një aleat i rëndësishëm i NATO, e cila ka qenë ndër vendet e para që u rreshtua në krah të koalicionit antiterror dhe ndër kontribuesit cilësorë dhe më mëdhenj në raport popullsie për misionet e NATO”, ka theksuar gjatë bashkëbisedimit gjenerallejtënant Mark Schissler. Më tej ai vlerësoi kontributin 12 - vjeçar me trupa në operacionin e sapopërfunduar ISAF të NATO në Afganistan, operacion i cili nuk ka qenë pa kosto edhe për Shqipërinë, e cila humbi një ndër ushtarakët e saj më të mirë, “Dëshmorin e Atdheut” kapiten Feti Vogli. 

Gjatë takimeve në Shtabin e Përgjithshëm, delegacionet diskutuan dhe vlerësuan angazhimet ushtarake të Shqipërisë, me qëllim përmbushjen e objektivave dhe detyrimeve ndaj NATO. Fushat e trajnimit, stërvitjeve të përbashkëta, modernizimit por edhe kapaciteteve të vendit pritës, janë ndër prioritet kryesore të FARSH, me qëllim jo vetëm përmbushjen e misionit të saj kushtetues, por edhe kontributeve në NATO dhe operacioneve në ndihmë të popullsisë. 

Po gjatë ditës së sotme, gjeneral Schissler është pritur në takime edhe nga zëvendëskryeministri i vendit, z. Niko Peleshi, si dhe ministri i Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli. Vizita e drejtuesit të lartë ushtarak të NATO konfirmon edhe njëherë bashkëpunimin e suksesshëm midis vendit tonë dhe Aleancës.






Media Sociale



Moti