Kontigjentet “Eagle”, histori suksesi e Forcave Speciale të FA

27 gusht 2014

Është zhvilluar në Batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr ceremonia e pritjes së kontingjentit të fundit me mision luftarak “Eagle-8”, që shërbyen në kuadër të misionit ISAF, në Afganistan. Efektivi i bFS-së, i përbërë nga 50 efektiva të Kompanisë së Aksioneve Speciale Ujore kreu me sukses misionin luftarak në periudhën shkurt-gusht 2014, në Kandahar të Afganistanit, në përbërje të forcave të ushtrisë amerikane.

Të pranishëm në ceremoninë e rastit ishin ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori amerikan, z. Aleksandër Arvizu, komandantë të forcave dhe njësive të FA, drejtorë të drejtorive në SHPFA, si dhe familjarë të pjesëtarëve të kontigjentit.

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu ka theksuar se SHBA-të vlerësojnë kontributin dhe sakrificën e FARSH në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe aleatët e tjerë.

Ministrja e mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli u ka uruar mirëseardhjen në atdhe trupave paqeruajtëse në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë shqiptarëve. “Misioni juaj i tetë luftarak ku shërbyet me sukses për një periudhë gjashtë mujore në rajonin e Kandaharit, përmbyll me sukses angazhimin tonë me forca luftimi në misionin ISAF, për këtë ju jemi mirënjohës të gjithëve. Rajoni i veprimeve të “Eagle-8” është vlerësuar si kështjella e aktiviteteve terroriste në jug të Afganistanit, ku forcat talebane kanë qenë gjithmonë prezente dhe shume aktive”.

Ministrja Kodheli kujtoi me respekt sakrificën sublime të kapiten Feti Vogli, i cili humbi jetën në krye të detyrës në misionin paqeruajtës në Afganistan. Në fund të aktivitetit, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli ka vendosur një buqetë me lule pranë bustit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.

Misioni i 8-të luftarak përmbyll angazhimin me forca luftimi të FARSH si vend anëtar i NATO-s në misionin ISAF. Kontingjenti shërbeu me sukses për një periudhë gjashtë mujore në përbërje të Batalionit 4-t të Artilerisë, Baza Spin Boldak, rajoni i Kandaharit Komanda Rajonale Jugore (RCS).






Media Sociale



Moti