
14 gusht 2014
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo kanë inspektuar ditën e sotme Shkollën e Trupës në Bonavi të Vlorës.
Drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm janë pritur nga shefi i shtabit i KDS, kolonel Riza Zaja. Nënkolonel Vilson Bufazi, shef i shtabit të BrSB informoi ministren Kodheli dhe gjeneral Bazo mbi punën e bërë nga efektivi e shkollës për realizimin e detyrave dhe objektivave, si dhe me problematikat e vështirësitë që kanë dalë në praktikën e përditësime të punës.
Ministrja Kodheli, duke u njohur me këto probleme, shtroi detyra për rishikimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës, si dhe për mundësinë e një ndërhyrjeje për përmirësimin e segmentit rrugor që lidh rrugën nacionale me këtë njësi ushtarake, duke kërkuar për këtë edhe projekt-preventivat përkatëse. Më pas, ministrja Kodheli dhe gjeneralmajor Bazo kanë parë nga afër ambientet e jetesës dhe infrastrukturën e kësaj njësie, si dhe janë takuar me personelin ushtarak e civil që shërbejnë në Shkollën e Trupës së Forcave tona të Armatosura.