
10 dhjetor 2016
Very Simple Image Gallery:
Could not find folder /var/www/aaf.mil.al/images/ft/2016/dhjetor/10/
Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Dedë Prenga, morën pjesë në ceremoninë e përcjelljes së Kontingjentit të Parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, i cili do të shërbejë në Herat nën komandën e FA italiane. Ceremonia e përcjelljes së kontingjentit paqeruajtës u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku ishin të pranishëm ambasadori i Republikës së Italisë z. Alberto Cutillo, deputeti i Komisionit të Sigurisë, z. Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti.
Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, ambasadori italian në vendin tonë z. Alberto Cutillo, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për pjesëmarrjen në këtë ceremoni kuptimplotë, ndër të tjera tha: “…dua t’ju shpreh të gjithë juve dhe veçanërisht zonjave që marrin pjesë për herë të parë në mision, urimet më të mira… Roli i Forcave të Armatosura italiane dhe shqiptare vjen e forcohet me pjesëmarrjen në këtë mision, qëllimi i të cilit është dhënia e kontributit të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, - u shpreh ndër të tjera ambasadori Cutillo.
Duke marrë fjalën për të përshëndetur ceremoninë ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, solli në vëmendje nisjen vetëm pesë ditë më parë të një kontingjenti të Policisë Ushtarake në Kabul të Afganistanit dhe theksoi se nisja e kontingjentit të sotëm dyfishon pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Resolute Support Mission”. Zonja Kodheli përmendi shtimin e pjesëmarrjes në misionet e tjera jashtë vendit dhe nga fillimi i vitit që vjen, pjesëmarrjen në një tjetër mision në Irak. Ajo vlerësoi shtimin e pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, për të cilat u shpreh se kanë qenë rezultat i angazhimeve që vendi ynë ka marrë si anëtar i NATO, duke vënë theksin se “Shqipëria ka një vend të respektueshëm, të njohur dhe me vlerësimet më pozitive.”
Kontingjenti i nisur sot është pjesë e kompanisë “Puma” të b2k të Forcës Tokësore. E veçanta e këtij kontingjenti, qëndron në faktin se në përbërje të tij janë edhe dy femra.
Këto trupa, do të jenë në vartësi të Komandës së Trajnim - Këshillimit dhe Ndihmës në Provincën Perëndimorë të Afganistanit në Herat, për një periudhë 6 - mujore, brenda fushës së përgjegjësisë italiane.