U zhvillua ceremonia e përfundimit të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen

9 dhjetor 2016

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Në ceremoni, e cila u zhvillua në auditorin e Ministrisë së Mbrojtjes morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes z. Idlir Peçi, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Të pranishmit në ceremoni u përshëndetën nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Idlir Peçi, i cili pasi shprehu kënaqësinë dhe të ndjerit i nderuar për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të kursantëve të Kursit të VIII të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ndër të tjera u shpreh: “Do të doja që në emrin tim dhe të ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, t’ju përcillja urimet më të përzemërta për arritjen e suksesshme”.

Z. Peçi, duke u ndalur në pjesëmarrjen në këtë kurs, në të cilin pjesëmarrës ishin 17 pjesëtarë nga Shqipëria, Gjeorgjia, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia dhe Rumania, nënvizoi se “Kjo është një dëshmi e qartë e përpjekjeve të përbashkëta për të sjellë më afër vendet tona... Jam i bindur se ky kurs i ka çuar pjesëtarët përpara në një pikë që do t’i mundësojë atyre të perceptojnë perspektiva të ndryshme në të ardhmen..."

Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen u përshëndet dhe nga komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, kolonel Ruzhdi Kuçi, i cili shprehu mirënjohje dhe vlerësim për  kursantët dhe të gjithë pedagogët dhe lektorët që bënë të mundur realizimin me sukses të këtij kursi.

Në emër të pjesëmarrësve në Kursin e Lartë përshëndeti kolonel Theodosios Triantafyllos, përfaqësues i FA të Greqisë, i cili shprehu mirënjohje dhe vlerësim për kolegët kursantë dhe gjithë pedagogët dhe lektorët që bënë të mundur realizimin me sukses të këtij kursi.

Në fund të ceremonisë, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Dedë Prenga dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Idlir Peçi u kanë dorëzuar diplomat pjesëmarrësve të Kursit të VIII të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Kursi i VIII i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen ka filluar më datën 12 shtator 2015 dhe u ndoq nga 17 studentë, 7 ushtarakë e civilë nga vendet e rajonit e më gjerë: Italia, Greqia, Gjeorgjia, Rumania,Maqedonia, FSK e Kosovës, si dhe 10 studentë ushtarakë të Forcave të Armatosura si dhe civilë, përfaqësues nga institucione të mbrojtjes e sigurisë në vendin tonë.

Në KLSM - 2016, kanë dhënë leksion profesorë vendas dhe të huaj nga “Qendra Marshall”, Gjermani, prof. Samir Sinani dhe dr. Valbona Zeneli; dr. Arnold Dupuy nëpërmjet video konferencës nga SHBA; dr. Hans-Hubertus Mack; gjeneral brigade Enver Cikaqi komandant i Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës; dr. Paulo Quercial drejtori i Qendrës së Studimeve Strategjike të Rajonit, analist për Evropën në Qendrën Italiane të Studimeve të Larta të Mbrojtjes; kol. Philippe d. Rogers shefi i delegacionit ushtarak amerikan në Shtabin e NATO në Bruksel; rektorë dhe profesorë nga universitete të ndryshme në vendin tonë si dhe përfaqësues  nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme etj.

Në Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen 2016, kanë qenë  të ftuar edhe “lektorë nderi”, personalitete të larta si ambasadori i SHBA, zoti Donald Lu, ambasadorja e Greqisë znj. Eleni Sourani, ambasadorja e Mbretërisë së Hollandës, znj. Dewi van Weerd; ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Duncan Norman MBE; ambasadori italian z. Alberto Kutillo, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Susanne Schutz; dr. Dushku drejtori i Institutit të Studimeve Globale Romë, Itali; zëvendëskomandanti i Forcës Tokësore të Sigurisë së Kosovës, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli; etj.

Kolegji i Mbrojtjes ka filluar për herë të parë në vitin 1995, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, institucione të tjera të sigurisë si dhe deputetë e politikanë të gjithë spektrit politik në vendin tonë.






Media Sociale



Moti