
08 dhjetor 2010
Në mbështetje të operacionit në zonat e përmbytura, në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, mbërritën nga Republika Çeke, dy avionë me ndihma.
Në praninë e Ambasadores së Republikës së Çekisë në vendin tonë, Zj. MARKÉTA FIALKOVÁ, nee NÌMCOVÁ dhe Zv/ Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Sandër LLESHI, avioni i tipit AN-26 dhe CASA shkarkuan 7 ton materiale, kryesisht tenda për personel me aksesorët e tyre, batanije dhe materiale të ndryshme.
Materialet e ardhura nga Republika Çeke u nisën menjëherë për në zonat e përmbytura.
08 dhjetor 2010, ora 08.00
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Maksim Malaj, vazhdon të ndjekë direkt operacionin në të gjithë zonat e përmbytura. nga fillimi i situatës së emergjencës dhe deri tani.
Gjeneral Major Maksim Malaj, ka inspektuar dje operacionet që po zhvillojnë njësitë e Forcave të Armatosura në Komunat: Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Obot, në digën e Torrovicës si dhe pa nga afër punën që bëhet për drejtimin e operacioneve në Shtabin e Emergjencës në qytetin e Shkodrës.
Strukturat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Pushtetit Vendor, vazhdojnë operacionin në Qarkun Shkodër.
08 dhjetor 2010
Në operacionet e ndihmës për zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës dhe atë të Lezhës janë angazhuar edhe Forcat tona Detare, duke vënë në dispozicion të tyre 4 anije dhe konkretisht: anijen “ILIRIA” dhe 3 anijet “ARCHANGEL” të ardhura në gusht të këtij viti, 2 zjarrfikëse, 1 autobot, 1 autobuz, 3 lanca, 1 skuadër shoferësh, si dhe një ekip të specializuar varkëtarësh bashkë me grupin e polumbarëve të Qendrës së Zhytjeve në Pashaliman.
Operacionet e ndihmës filluan më datë 30 nëntor dhe vazhduan pa ndërprerje gjatë këtyre ditëve, ku më i rëndësishmi është operacioni për furnizimin e komunës së Velipojës e cila është e izoluar nga komunikimi automobilistik.
08 dhjetor 2010
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura, në aeroportin e Gjadrit, janë përqëndruar pranë Forcave të Armatosura helikopterët e NATO-s, të forcave të ushtrisë Greke dhe ato Turke. Këta helikopterë të forcave ushtarake të dy vendeve fqinje, po mbështesin operacionin dhe po kryejnë funksionin e kërkim-shpëtimit dhe transpotin e mallrave ushqimorë.
Operacioni nga këto forca po realizohet në zonat më problematike siç janë Dajçi, Velipoja, Pentar dhe atje ku nuk mund të futen helikopterët e NATO-s, futen helikopterët e Forcave tona të Armatosura dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Rendit.
07 dhjetor 2010
Në ndjenjë solidariteti mes popullit shqiptar dhe atij kosovar, në situatën emergjente të krijuar në Qarkun Shkodër, po kontribon dhe një efektiv i Forcavë të Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Sigurisë së Kosovës Z. Fehmi Mujota i shoqëruar dhe nga Ministri i Mbrojtjes Z. Arben Imami ka vizituar gjatë pasdites së djeshme zonat e përmbytura, në Qarkun Shkodër. Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Arben Imami dhe Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, z. Fehmi Mujota, zhvilluan një takim në prefekturën e qytetit të Shkodrës, për diskutuar mbi situatën e përmbytjeve në veri të vendit.
07 dhjetor 2010, ora 08.00
Strukturat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Pushtetit Vendor, vazhdojnë operacionin në Qarkun Shkodër. Operacionet për transport dhe shpërndarje ndihmash për popullsinë, dhe të bazës ushqimore për blegtorinë kanë vijuar pa reshtur gjatë gjithë ditës së djeshme.
Strukturat e Forcave të Armatosura kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbrojtur stacionet e pompimit dhe depot e ujësjellësve për qytetin e Shkodrës. Efektivë të reparteve të Forcave të Armatosura kanë bërë të mundur hyrjen në Velipojë, duke ju ardhur në ndihmë banorëve të izoluar, si dhe atyre që nuk pranojnë për t’u evakuuar.