
28 dhjetor 2010
Në Flotiljen Detare të Veriut, u zhvillua analiza e punës një vjeçare në Forcat tona Detare. Në të morën pjesë Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Major Maksim Malaj, zv.Shefat e Shtabit të Përgjithshëm të FA K/Admiral Kristaq Gerveni dhe Gjeneral Brigade Sandër Lleshi, përfaqësues të lartë të MM dhe FA si dhe kuadro kryesore të shtabit dhe reparteve të Forcave tona Detare.
Komandanti i Forcave Detare K/Admiral Kudret Çela hapi mbledhjen duke theksuar se: “Pjesëmarrja e këtij niveli në këtë analizë është vlerësim për punën dhe përpjekjet e efektivave të Forcave Detare gjatë vitit 2010”.
Shefi i Shtabit të Forcave Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Roland Nasto lexoi raportin për realizimin e detyrave dhe objektivave të vitit 2010 nga komanda, shtabi, repartet dhe n/repartet e FD.
Në raportin vjetor u cilësua se “Aktiviteti i FD u përqendrua në përmbushjen e objektivave dhe detyrimeve për arritjen e standardeve të aleancës në fushën e detarisë, veçanërisht rritja e kapaciteteve dhe aftësive operacionale për kryerjen e operacioneve në det, kontrollin dhe zbatimin e ligjit në bashkëpunim me institucionet e tjera, zbatimin e planit të modernizimit të sistemit, mjeteve dhe pajisjeve, shfrytëzimin me kapacitet të plotë të Sistemit te Vëzhgimit te Hapësirës Detare, zbatimin e projektit për ndërtimin e anijeve te reja ne kantjerin e Pashalimanit ne bashkëpunim me kompaninë holandeze “Damen Shipyard”, standardizimi i rregullave të ruajtjes dhe sigurisë së reparteve, mbështetja logjistike optimale dhe vazhdimi i punës për përmirësimin e infrastrukturës në vendbanime dhe dorëzimin e pronave të lëna jashtë planit të përhapjes. Gjithashtu problemet e personelit, arsimimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm i oficerëve, n/oficerëve dhe detarëve për krijimin e një force profesioniste 2010, ka qenë në qendër të vëmendjes së drejtuesve të çdo hallke në FD.
Në raport u theksua se gjatë stërvitjeve detarët tanë janë ballafaquar me nivelin e partnerëve tanë, njëherësh kanë nxjerrë dhe mësime për kontrollin e veprimeve praktike nga ana e komandanteve, njohjen më mirë të udhëzuesit të lundrimit dhe evidentimin e përgatitjes së kuadrit.
Për modernizimin e Flotiljeve tona janë shënuar hapa cilësore - u theksua ne raport - ndërsa në kantierin e Pashalimanit ka vazhduar me rritme të larta puna për ndërtimin e anijeve “Oriku” dhe “Lisus”, në muajin gusht FD u pajis me tre anije patrulluese “ARCHANGEL”, dhurate e Departamentit të Shtetit të SHBA, të cilat rritën kapacitetet operacionale të Rojës Bregdetare në luftën kundër për zbatimin e ligjshmërisë detare. Procesi i modernizimit e transformimit në FD është bërë i mundur ne sajë të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen e vendeve e flotave partnere si SHBA, Turqi, Itali, Holandë, Greqi, Francë, etj.
Në vazhdim të analizës u zhvilluan diskutime konstruktive. Ministri dhe Shefi i Shtabit te FA, kërkuan njohjen dhe trajtimin e problemeve me kryesore dhe emergjente me të cilat përballen sot efektivat e Flotiljeve nga Saranda në Shëngjin, por dhe planëzimin e masave përkatëse për zgjidhjen e tyre, duke luftuar pritshmërinë apo zgjidhjen nga lart.
Në fund të analizës Ministri i Mbrojtjes vlerësoi punën e bërë nga efektivat e FD në realizimin e misionit, detyrave dhe objektivave të këtij viti, që flasin për një pune të lavdërueshme, seriozitet, bashkëpunim dhe me tregues konkretë ne të gjitha fushat.
Komandanti i FD, K/Admiral Kudret Çela falënderoi MM dhe Shefin e Shtabit të FA për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë FD në realizimin e procesit të Transformimit dhe Modernizimit, shembull konkret i së cilës është dhe pjesëmarrja në këtë analizë me porositë, mendimet dhe zgjidhjet e afruara për mjaft probleme që janë evidente në FD.
Mbas analizës, Ministri Imami i shoqëruar nga Gjeneral Malaj, gjeneralët dhe të tjerët, vizituan ambientet e bazës, anijet, infrastrukturën dhe gjendjen ekzistuese të kanalit hyrës në bazën e Kepit të Palit.