
Të dashur, oficerë, nënoficerë, ushtarë profesionistë dhe civilë që punoni në Forcat e Armatosura!
Edhe pak kohë orë na ndajnë nga fillimi i vitit 2011. Në këto ditë kur bëjmë bilancet e punës sonë një vjeçare ne kemi të drejtë të gëzohemi dhe të urojmë njëri tjetrin për rezultatet e arritura në përmbushjen e detyrimeve tona kushtetuese ndaj vendit, ndaj shtetasve tanë, ndaj Aleancës si dhe t’i urojmë gjithësejcilit prej nesh shëndet e lumturi në familje e suksese në punë për vitin që vjen.
Gjatë 2010 ju të dashur ushtarakë që shërbeni në misionet paqeruajtëse jashtë vendit falë përkushtimit dhe profesionalizmit të treguar keni ditur të mbani lart emrin e vendit dhe të flamurit tonë përkrah emrit dhe flamujve të vendeve aleate dhe mike. Ju vazhdoni të mbeteni nderi dhe krenaria e kombit në përballjen me terrorizmin dhe falë përkushtimit tuaj dhe të kolegëve që kini përkrah ne gëzojnë sot një nivel më të lartë sigurie dhe qetësie. Ju keni ditur në të gjitha postet ku shërbeni si në fushëbetejat përballë rreziqeve por edhe në përballjet në sallat e mbledhjeve me diplomatë e kolegë ushtarakë të silleni denjësisht jo vetëm si ushtarakë por edhe si diplomatë që arrini të përçoni më së miri imazhin pozitiv për atdheun dhe ushtarakun shqiptar.
Viti që po lëmë pas tregoi se ju djemtë dhe vajzat tona në uniformë ditët t’i përgjigjeni me përkushtim dhe profesionalizëm situatave në përballimin e fatkeqësive natyrore me të cilat është përballur vendi ynë sidomos disa nga rajonet e veriut të vendit gjatë vitit 2010. Imazhi i ushtarakëve tanë që u përballën me vështirësitë e natyrës në ndihmë të popullsisë civile përbën atë thelb të pandryshuar të cilësive që e kanë karakterizuar dhe vazhdojnë ta karakterizojnë ushtarakun tonë patriot e atdhedashës.
Gjatë 2010 shqiptarët ju gëzuan një arritje tjetër të madhe dhe historike siç ishte ajo e heqjes së vizave por gjithashtu 2010 do të mbesë në memorien e forcave të armatosura si viti që i konsolidoi më tej strukturat por edhe të gjithë sistemin e FA në përputhje me standartet e Aleancës. Vazhdimi me ritme të larta i reformës në Forcat e Armatosura në të gjitha aspektet e saj me synim përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut ka qenë një ndër angazhimet tona madhore gjatë vitit që po lëmë pas. Sukseset e arritura në të gjitha fushat kanë në themelin e tyre punën dhe kontributin e të gjithë individëve që shërbejnë apo kanë shërbyer në FA.
Të dashur ushtarakë,
Viti që presim është i mbushur me sfida dhe detyra të ngjeshura të cilat unë jam i bindur se të gjithë së bashku ne do të arrijmë t’i përballojmë dhe t’i zgjidhim me sukses siç kemi bërë deri më sot.
Ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë në kuadër të misioneve paqeruajtëse që drejtohen nga Aleanca por edhe institucione të tjera ndërkombëtare. Në këtë çështje ne jemi të vendosur të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë deri në arritjen e qëllimit final që është garantimi i paqes dhe i stabilitetit jo vetëm në rajonin ku ju shërbeni por edhe më gjerë.
Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi me seriozitet dhe përkushtim në bashkëpunim me strukturat e specializuara si në nivel qendror dhe lokal përballimit të të gjitha vështirësive dhe problemeve që mund të hasin shtetasit tanë në të gjithë territorin e vendit në të ardhmen.
Një ndër drejtimet e tjera shumë të rëndësishme të punës sonë gjatë vitit që vjen është vazhdimi i reformës në të gjitha nivelet e strukturat e saj me qëllim përafrimin e mëtejshëm të tyre me standartet e Aleancës.
Të dashur ushtarakë,
Në këtë prag ndërrimi vitesh unë jam i bindur se familjarët e ushtarakëve tanë nënat, baballarët, fëmijët, bashkëshortet, vëllezërit, motrat por edhe të gjithë të afërmit dhe miqtë pikërisht të atyre ushtarakëve që kapërcimin e viteve do ta presin në krye të detyrës si brenda ashtu dhe jashtë vendit për të garantuar qetësinë dhe paqen për shtetasit shqiptarë por edhe për shtetasit e vendeve ku ata shërbejnë, urimin e parë do ta ngrejnë për shëndetin e tyre që ata të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre. Me këtë urim bashkohemi edhe ne të gjithë si drejtues të Forcave të Armatosura.
Prandaj, në përfundim të mesazhit tim si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’ju siguroj dhe garantoj për mbështetjen time të pakursyer por njëkohësisht t’u uroj juve dhe familjeve tuaja:
Gëzuar Vitin e Ri 2011!
Lumturi, shëndet dhe mirëqenie në familjet tuaja!
Suksese në përmbushjen e detyrave gjatë vitit 2011!
GJENERALMAJOR MAKSIM MALAJ
SHEF I SHTABIT TE PERGJITHSHEM TE FA