Forcat Detare festojnë 85 vjetorin e krijimit të tyre

23 dhjetor 2010

Forcat Detare festuan 85 vjetorin e krijimit të tyre. Në këtë aktivitet të rëndësishëm për FD, i cili u zhvillua në ambientet e Qendrës së Kulturës, Medies dhe Botimeve të Mbrojtjes, (ish SHQU-pi), ishin te pranishëm Zv. MM z. Ekrem Spahia, SHSHP Gjeneral Major Maksim Malaj, i shoqëruar nga Zv/SHSHP K/Admiral Kristaq Gerveni, këshilltarja e Presidentit të Republikës për çështjet ushtarake, Kolonele Manushaqe Shehu, Atashe Ushtarak të vendeve të NATO-s akredituar në Tiranë, gjeneralë, oficerë, nënoficerë, drejtor drejtorish në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, veteranë dhe ish-punonjës të Forcave Detare.

Fjalën e hapjes e mbajti komandanti i Forcave Detare, K/admiral Kudret Çela, i cili ndër të tjera theksoi: “Është në nderin tim dhe në prestigjin që si drejtues i Forcave Detare që në këtë jubile të madh,  t’ju uroj e përshëndes në këtë 85 vjetor të krijimit të FD. Me këtë rast, ne përulemi me nder dhe respekt, si dhe u jemi mirënjohës të gjithë brezave që kanë kontribuar në rrugën e gjatë të zhvillimit të Forcave Detare për të cilën ne sot ndihemi krenarë. Rruga në të cilën kanë ecur dhe janë zhvilluar FD është një rrugë e gjatë e plotë sakrifica, që i ka rrënjët thellë në mijëvjeçarët e historisë që zë populli ynë midis popujve të tjerë të Mesdheut, që nga të parët tanë”, nënvizoi komandanti i Forcave Detare.

Duke bërë një rezyme të shkurtër të Forcave Detare që nga krijimi i tyre më 25 dhjetor të vitit 1925 e deri në ditët e sotme, K/admiral Çela tha: “Në këto vite jemi përpjekur ti përgjigjemi çdo situate të krijuar në hapësirën detare, duke realizuar në këtë mënyrë të gjitha detyrat tona të vëna nga vendet tona aleate të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Për këtë arsye unë jam i bindur se pranimi ynë në NATO nuk është dhuratë, por meritë. Me mbështetjen e shtetit Shqiptar dhe vendet e tjera mike ne kemi mundur të kemi sot një nivel të lartë e të standartizuar të mjeteve tona detare. Më lejoni që në këtë 85 vjetor të  përulemi me mirënjohje dhe respekt për të gjithë detarët që kaluan rininë dhe jetën e tyre në det. Për të gjithë ata që kanë lënë, mbresat, kujtimet veprat dhe mesazhet e tyre të paqes të cilat do t’i përcjellin me respekt brezat pasardhës”.

Në këtë 85 vjetor të krijimit të Forcave Detare, një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Maksim Malaj, i cili në fjalën e tij theksin e vuri tek modernizimi i mjeteve lundruese dhe krijimi i një force të re me standardet e vendeve të NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, shefi I Shtabit të Përgjithshëm Malaj theksoi: “Jubileu i 85-të i krijimit të Forcave Detare më jep kënaqësinë që ti drejtohem me urimet më të mira për këtë përvjetor, të gjithë ushtarakëve dhe civilëve që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Forcat tona Detare. Falë këtij përkushtimi, angazhimi, kontributi dhe sakrificash, ne kemi sot këtë Forcë Detare që na bën me të drejtë të krenohemi me të. Me anëtarësimin e vendit tonë në NATO, FD janë bërë pjesë e sistemit të mbrojtjes së hapësirës detare të aleancës. Ky stad i ri, është shoqëruar me ndërmarrjen e një numri të madh reformash, siç janë ato në fushën e legjislacionit detar, të rritjes së kapaciteteve operacionale për pjesëmarrjen në operacione, trajnimin e personelit me standardet e Aleancës, modernizimin e Forcave tona Detare me pasje dhe mjete lundruese moderne, në mënyrë që t’i përgjigjen jo vetëm kërkesave tona por edhe atyre të Aleancës. Duke përfunduar dëshiroj edhe një herë të shpreh besimin se Forcat tona Detare do të vazhdojnë të përmbushin me sukses detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre kushtetuese në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë, por edhe të hapësirës euro-atlantike”.

Në përfundim të këtij aktiviteti u shpërndan dekorata nga Presidenti i Republikës, Prof. Dok. Bamir Topi, i cili në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i akordoi Forcës Detare dhe Komandantit të saj, K/admiral Kudret Çela, medaljen për rezultate të larta dhe për kontributin e çmuar që kanë dhënë gjatë kësaj periudhe.

SHSHP Gjeneral Major Maksim Malaj, dekoroi një grup ushtarakësh dhe veteranësh me medaljen “Nder i shërbimit ushtarak”, me motivacionin: “Për shërbime të veçanta”. Në fund me të pranishmit u bënë edhe foto te përbashkëta.






Media Sociale



Moti